Ballina BOTA SHBA, zhvillohen sot zgjedhjet ndërmjetme

SHBA, zhvillohen sot zgjedhjet ndërmjetme

Qytetarët amerikanë i drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur pjesën më të madhe të anëtarëve të dy dhomave të Kongresit, ndërkohë që do të zgjedhin edhe guvernatorët e shteteve respektive. Sot zgjidhen të gjithë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve, që janë 435 gjithsej dhe mandati i tyre zgjat dy vjet, si edhe 35 nga 100 anëtarët e Senatit, mandati i të cilëve zgjat gjashtë vjet. Krahas tyre, amerikanët do të zgjedhin edhe guvernatorët e 36 shteteve.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës këto njihen si zgjedhjet e ndërmjetme, pasi ndodhin në mes të mandatit presidencial. Momenti kur ato ndodhin është tepër i veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi janë Republikanët ata që aktualisht kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin, ndërkohë që sondazhet tregojnë se këto zgjedhje mund të sjellin të ashtuquajturën “valë blu”, duke i dhënë një fitore të thellë Demokratëve.

Demokratët synojnë të pengojnë agjendën e presidentit Donald Trump, i cili vijon të shfaqë tendenca autokracie.

Çështjet kyçe në të cilat është fokusuar fushata e të dy kampeve janë ekonomia dhe emigracioni. Në fakt, ekonomia amerikane po lulëzon, me norma të ulëta të papunësisë dhe paga në rritje. Megjithatë, shkurtimet e taksave nga presidenti Trump për korpooratat e kanë rritur defiçitin e vendit me 33 përqind. Nga ana tjetër, emigracioni është një çështje që ndan palët, me Demokratët e etur për të nxjerrë në pah retorikën e ashpër të presidentit Trump dhe vendimin e Shtëpisë së Bardhë për të ndarë fëmijët migrues nga prindërit e tyre si pjesë e politikës së saj me zero tolerancë.