Ballina BOTA SHBA, vijon bllokimi politik, bie edhe bursa

SHBA, vijon bllokimi politik, bie edhe bursa

Tregjet e aksioneve në SHBA ranë përsëri ndjeshëm të hënën. Treguesi S&P 500 ra më tepër se dy për qind ndërsa “DowJones” rreth tre përqind.

Presidenti Donald Trump ia ka hedhur fajin Rezervës Federale (banka qendrore) për rënien e bursës dhe për probleme të tjera ekonomike.

Ai ka thënë se problemi i vetëm ekonomik në SHBA është rritja e normave të interesit. Presidenti akuzoi shefin e Rezervës Federale, Jerome Powell se nuk e kupton tregun dhe dëmton ekonominë me rritjen e normave të interesit.

Rezerva Federale e zbriti normën bazë të interesit pothuajse në zero për të nxitur rritjen ekonomike gjatë recesionit që filloi në vitin 2007. Banka qendrore i mbajti normat e ulëta për disa vite.

Përfundimisht, rritja ekonomike rifilloi dhe papunësia ra në nivelin më të ulët në 49 vjet, prandaj zyrtarët e Rezervës Federale vlerësuan se stimuli i emergjencës nuk ishte më i nevojshëm. Drejtuesit e Rezervës Federale votuan për të ulur stimulin duke rritur gradualisht normat e interesit. Shqetësimi ishte se një stimulim tepër i madh i ekonomisë mund të nxiste inflacionin. Ekspertët thonë se një rritje e mprehtë e çmimeve mund të nxisë kërkesat për rritje pagash, gjë që do të çon një cikël tjetër të ngritjes së çmimeve.