Ballina BOTA SHBA, Trump zgjedh zëdhënësen e DASH për ambasadore në OKB

SHBA, Trump zgjedh zëdhënësen e DASH për ambasadore në OKB

Presidenti amerikan Donald Trump pritet të emërojë zëdhënësen e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, në postin e ambasadores së SHBA-ve në Kombet e Bashkuara.

Nikki Haley, ambasadorja në detyrë e Amerikës në OKB, njoftoi gjatë muajit tetor se do të largohej nga posti në fund të këtij viti.
Nauert, 48 vjeç, u bë zëdhënëse e DASH-it në prill të vitit 2017, duke marrë asokohe për herë të parë një post qeveritar.

Veç rolit të zëdhënëses, Nauert është emëruar prej marsit të këtij viti edhe si nënsekretari në detyrë për diplomacinë publike dhe marrëdhëniet publike.
Megjithatë, emërimi i saj në postin e përfaqësueses së SHBA-ve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara do të duhet të miratohet edhe nga Senati amerikan.

Haley shërbeu për afro dy vite në postin e ambasadores amerikane në OKB. Ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, tashmë 46 vjeç dhe ndër të paktat femra në kabinetin e Trumpit, nuk dha asnjë arsye për largimin, por hodhi poshtë spekulimet se po planifikon të garojë për presidente në vitin 2020.