SHBA, sot votimi për ngritjen zyrtarisht të akuzave ndaj presidentit

0
1

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë sot në favor të ngritjes zyrtarisht të akuzave për shkarkim ndaj Presidentit Donald Trump, çka e bën atë presidentin e tretë në historinë e vendit që do të përballet me një gjykim në Senat.

Sipas rregullave të miratuara të martën, Dhoma e Përfaqësuesve pritet të debatojë për gjashtë orë lidhur me akuzat e ngritura ndaj presidentit. Zoti Trump akuzohet për abuzim me detyrën për shkak të përpjekjeve të dyshuara për t’i bërë presion Ukrainës që të ndërhynte në zgjedhjet amerikane të 2020-s si dhe për pengim të hetimeve që po kryente Kongresi mbi këtë çështje.

Votimi pritet të mbahet sot në mbrëmje, kur presidenti Trump do të jetë duke mbajtur një fjalim gjatë një tubimi fushate në shtetin e Miçiganit.

Ngritja zyrtarisht e akuzave pritet të marrë miratimin e Dhomës së Përfaqësuesve në kushtet kur demokratët e kontrollojnë atë, por me kundërshtimin e pakicës republikane.

Më pas çështja i kalon për gjykim Senatit proces që pritet të nisë në muajin janar. Për shkarkimin e presidentit do të nevojiteshin votat e dy të tretës së anëtarëve të Senatit ndaj dhe nuk ka gjasa që kjo të ndodhë në kushtet kur Senati kontrollohet nga republikanët.

Votimit në Dhomën e Përfaqësuesve presidenti Trump i parapriu me një seri postimesh në Twitter. Ai kritikoi hetimet kundër tij dhe përsëriti se nuk ka bërë asgjë shkelje.

Nuk jam i shqetësuar!”, shkruante Presidenti Trump.

Presidenti i ka dërguar gjithashtu dhe një letër prej gjashtë faqesh kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi ku thuhej ndër të tjera se janë demokratët dhe ajo vetë që kanë kryer shkeljet e pretenduara.

Ju jeni ata që keni ndërhyrë në zgjedhjet amerikane. Ju jeni ata që po shkatërroni demokracinë amerikane, që po pengoni drejtësinë. Ju jeni ata që po i sillni dhimbje e vuajtje republikës sonë për përfitime personale dhe politike” shkruante presidenti.

Ndërkohë zonja Pelosi i ka dërguar një letër demokratëve të Dhomës së Përfaqësueve ku shkruante ndër të tjera se me votimin për të miratuar zyrtarisht akuzat me qëllim shkarkimin e presidentit ata do të ushtrojnë “një nga fuqitë më solemne që u ka dhënë Kushtetuta”, siç shprehej ajo.

Për fat të keq, faktet e kanë bërë të qartë se Presidenti ka abuzuar me detyrën për përfitim personal e politik. Ai pengoi Kongresin duke pretenduar se nuk mund të japë llogari, se qëndron mbi Kushtetutën dhe mbi popullin amerikanNë Amerikë, askush nuk është mbi ligjin“, shkruante zonja Pelosi. \ VOA