Ballina BOTA SHBA, sekretari i shtetit Pompeo: Ne do të pengojmë gazsjellësin Nord Stream...

SHBA, sekretari i shtetit Pompeo: Ne do të pengojmë gazsjellësin Nord Stream II

Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo, gjatë takimit që zhvilloi në Washington me ministrin e jashtëm ukrainas Pavlo Klimkin, tha se Ukraina “nuk ka mik më të mirë se sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ndërkohë që premtoi se Shtëpia e Bardhë do të pengojë ndërtimin e një gazsjellësi nga Rusia në Gjermani, gazsjellës ky që quhet Nord Stream II dhe që anashkalon krejtësisht Ukrainën.

“Ne do të punojmë së bashku për të ndaluar projektin e Nord Stream II, i cili dëmton sigurinë ekonomike dhe strategjike të Ukrainës dhe kompromenton edhe më tej sovranitetin e kombeve evropiane që varen nga gazi rus,” – ka thënë sekretari Pompeo.

Gazsjellësi mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Austria, si një mënyrë për të garantuar furnizim të qëndrueshëm të Evropës me gaz, ndërkohë që është kritikuar ashpër jo vetëm nga Ukraina, por edhe nga Polonia, pasi gazsjellsi i ri shmang tërësisht kalimin në territoret e tyre. I gjithë gazsjellësi, nga Rusia në Gjermani, kalon vetëm përgjatë Detit Baltik.