Ballina BOTA SHBA, risitë e zgjedhjeve të ndërmjetme, dy gra myslimane në Kongres

SHBA, risitë e zgjedhjeve të ndërmjetme, dy gra myslimane në Kongres

Ilhan Omar, kandidatja fituese e Partisë Demokratike në zonën zgjedhore nr. 5, në Minnesota, në zgjedhjet e 6 nëntorit 2018 për Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA

Mesazhi që rezultati i zgjedhjeve të ndërmjetme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dha nuk ishte i kufizuar thjesht tek fitorja e Partisë Demokratike. Për herë të parë, në Kongres do të hyjnë edhe dy gra myslimane, por jo vetëm.

Rashida Tlaib dhe Ilhan Omar janë dy gratë e para myslimane që do të ngjiten në Capitol Hill si pjesë e Dhomës së Përfaqësuesve. Rashida Tlaib me origjinë palestineze fitoi bindshëm në zonën e saj zgjedhore në Michigan, ndërkohë që Ilhan Omar me origjinë nga Somalia fitoi në zonën e saj zgjedhore në Minessota.

Njëkohësisht, një tjetër demokrate, 29-vjeçarja Alexandria Ocasio-Cortez, e cila fitoi në zonën e saj zgjedhore në New York, është bërë anëtarja më e re në historinë e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA.

Por, risitë nuk mbarojnë këtu. Deb Haaland dhe Sharice Davids, të dyja kandidate të Partisë Demokratike, e para në New Mexico dhe e dyta në Kansas, janë të parat gra me origjinë nga fiset vendase indiane që zgjidhen në Dhomën e Përfaqësuesve. Madje, Sharice Davids ka bërë haptazi të njohur edhe përkatësinë e saj gjinore si pjesë e komunitetit LGBT.

Zgjedhjet e ndërmjetme sollën edhe risi të tjera, duke u shndërruar në konkretizimin e ndryshimeve të forta radikale në jetën politike amerikane. Ayanna Pressley u bë anëtarja e parë afroamerikane e Dhomës së Përfaqësuesve, e zgjedhur nga Massachusetts, një shtet ky ku popullsia me ngjyrë është shumë e vogël. Nga ana tjetër, tani përfaqësimi i grupeve etnike të Texas do të jetë më i drejtë. Ky shtet ka rreth 40 përqind të popullsisë me origjinë hispanike dhe dy kandidatet demokrate me origjinë latine, Veronica Escobar dhe Sylvia Garcia, fituan garat respektive, duke u bërë të parat gra me origjinë latine nga Texas në Capitol Hill.

Për këtë arsye, duke iu referuar edhe fitores së demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve si shprehje e përqasjeve dhe alternativave të reja përfaqësuese në politikë, Van Jones, opinionist dhe drejtues i The Van Jones Show në rrjetin televiziv amerikan CNN, tha se Partia Demokratike ishte tani më e re dhe më joshëse.