Ballina BOTA SHBA, presidenti Trump kërcënon: Do të mbyll plotësisht kufirin me Meksikën

SHBA, presidenti Trump kërcënon: Do të mbyll plotësisht kufirin me Meksikën

Presidenti Donald Trump kërcënoi së fundmi se do të mbyllë kufirin SHBA-Meksikë plotësisht, nëse Kongresi nuk miraton miliarda dollarë financime për ndërtimin e murit.

Në një seri postimesh në “Twitter”, herët në mëngjes, Presidenti tha se alternativa ndaj financimit të projektit të tij të murit do të ishte ndarja totale nga Meksika, përfshirë detyrimin e fabrikave amerikane të automobilëve të tërheqin filialet e tyre nga ana tjetër e kufirit.

Kërcënimi vjen në kulmin e përplasjes politike, që ka çuar në një mbyllje të pjesshme të qeverisë amerikane dhe që duket se do të dominojë edhe fillimin e vitit të tretë të Presidencës së Trumpit.

“Do të detyrohemi të mbyllim kufirin jugor, tërësisht, nëse demokratët nuk do të na japin paratë që na duhen për të përfunduar murin, si dhe të ndryshojnë ligjet qesharake të emigracionit, në të cilat vendi ynë është mbërthyer,” – shkruan Trump në Twitter.

Me kufirin e mbyllur, Trump tha se ai do t’i çojë marrëdhëniet SHBA-Meksikë në nivelet para arritjes së marrëveshjes “NAFTA”, që hapi dyert për tregti të lirë në Kanada, Meksikë dhe SHBA.