Ballina BOTA SHBA, pako të dyshimta dërguar Obamës, Klintonit dhe CNN

SHBA, pako të dyshimta dërguar Obamës, Klintonit dhe CNN

Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara tha të mërkurën se kanë gjetur pako të dyshimta, të identifikuara si pajisje të mundshme shpërthyese, dërguar në shtëpitë e ish-presidentit Barack Obama dhe ish-sekretares së shtetit Hillary Clinton. Gjithashtu, zyra e Nju Jorkut e CNN në Qendrën Time Ëarner u evakua, pasi u zbulua një pako që përmbante një bombë drejtuar drejtorit të mëparshëm të CIA, John Brennan.

Sipas Shërbimit Sekret të SHBA, as Obama dhe as Klinton nuk i morën pakot dhe nuk ishin në rrezik.

“Pakot u identifikuan menjëherë gjatë procedurës rutinë të kontrollit si pajisje që mund të jenë shpërthyese dhe u trajtuan si të tilla,” – shtoi Shërbimi Sekret gjatë deklaratës.

Pasi lajmi u bë i ditur , presidenti amerikan Donald Trump, gjatë një fjalimi të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, tha se ishte jashtëzakonisht i indinjuar për dërgimin e pakove të dyshimta shpërthyese në adresë të ish-presidentit Barack Obama, të rivales së tij demokrate në zgjedhjet e vitit 2016, Hillary Clinton, rrjetit televiziv CNN në Nju Jork dhe figurave të tjeta politike dhe publike që kanë kritikuar presidencën e tij.

Pavarësisht deklaratës së Shërbimit Sekret , figurat kryesore të kampit të demokratëve në Uashington kanë hedhur dyshime mbi vërtetësinë e këtij lajmi.