Ballina BOTA SHBA nis tërheqjen e trupave nga Siria

SHBA nis tërheqjen e trupave nga Siria

Shtëpia e Bardhë konfirmoi sot nisjen e tërheqjes së trupave amerikane nga Siria.

Sekretarja për shtypin, Sarah Sanders tha se trupat amerikane e kanë nisur tashmë kthimin në shtëpi. Rreth 2.000 trupa ndihmuan të rimarrjen e një pjese të konsiderueshme të verilindjes së Sirisë nga Shteti Islamik, e megjithatë, disa “xhepa” luftëtarësh mbeten ende në terren.

Vendimi i Trumpit duket se vjen në kontradiktë me atë çfarë dëshironin zyrtarë të mbrojtjes, pikërisht ruajtjen e pranisë amerikane atje për të garantuar mosshfaqjen e sërishme të ISIS-it. Frika ekziston gjithashtu se me këtë veprim, ndikimi në Siri apo më gjerë në rajon do të shkojë në favor të Rusisë dhe Iranit.

Përmes deklaratës së saj, Sanders tha se “kemi nisur rikthimin e trupave të Shteteve të Bashkuara në shtëpi, ndërsa aktualisht jemi në periudhën e tranzicionit drejt fazës tjetër të kësaj fushate”.

Konfirmimi për tërheqjen vjen pasi Turqia tha se po përgatitej për të nisur një operacion kundër milicive kurde të mbështetura nga SHBA në Sirinë veriore, gjë që rrezikon konfrontimin me Shtetet e Bashkuara.