Ballina BOTA SHBA, nëse s’ka marrëveshje qeveria bllokohet pjesërisht

SHBA, nëse s’ka marrëveshje qeveria bllokohet pjesërisht

Një e katërta e operacioneve të qeverisë amerikane mund të mbyllen të premten në mesnatë nëse Shtëpia e Bardhë dhe ligjvënësit nuk bien dakord mbi një plan të ri shpenzimi, duke përfshirë financimin e murit të propozuar nga Presidenti Donald Trump përgjatë kufirit me Meksikën për të penguar emigracionin e paligjshëm.

Shpenzimet për tre të katërtat e qeverisë tashmë janë miratuar deri në shtatorin e ardhshëm, por faturat e mbetura përfshijnë financimin për Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe paratë e mundshme për murin, një premtim i fushatës presidenciale të 2016 të zotit Trump.

Presidenti Trump ka kërkuar 5 miliardë dollarët e para për murin që kushton 20 miliardë dhe kjo kërkesë kundërshtohet me forcë nga demokratët dhe disa republikanë. Demokratët kanë ofruar një maksimum prej 1.6 miliardë dollarësh për rritjen e sigurisë së kufirit, jo thjesht për murin.

Javën e kaluar Presidenti tha se do ta mbyllte përkohësisht qeverinë nëse paratë për murin nuk përfshihen në projektligjin e shpenzimeve. Por për të shmangur një mbyllje të agjencive qeveritare ai gjithashtu mund të arrijë një marrëveshje për një plan të përkohshëm shpenzimesh, që i mban të hapura të gjitha operacionet qeveritare deri në fund të këtij viti dhe madje edhe në vitin 2019.

Nëse qeveria detyrohet të bëjë një mbyllje të pjesshme, ajo mund të jetë e shkurtër, ashtu si dy raste të tilla në fillim të këtij viti, e para tre ditë dhe e dyta vetëm gjashtë orë.

Mbyllja më e gjatë në historinë e SHBA, ka qenë ajo që filloi më 16 dhjetor 1995, dhe përfundoi 21 ditë më vonë.