Ballina BOTA SHBA, ndahet nga jeta I. M. Pei, arkitekti i piramidave prej xhami...

SHBA, ndahet nga jeta I. M. Pei, arkitekti i piramidave prej xhami të Luvrit

Është ndarë nga jeta në moshën 102-vjeçare arkitekti amerikan me origjinë kineze Ieoh Ming Pei, i njohur në të gjithë botën për piramidat prej xhami në hyrje të Muzeut të Luvrit, në Paris.

Ieoh Ming Pei lindi në Guangzhou, në Kinë, në vitin 1917 dhe, në vitin 1935, emigroi në Shtetet e Bashkuara. Studimet e larta për arkitekturë ai i nisi në Universitetin e Pensilvanisë dhe i përfundoi në të famshin Institutin e Teknologjisë, në Masaçusec.

Firmën e tij e mbajnë disa nga objektet më të njohura në botës, si Laboratori Mesa në Kolorado dhe Biblioteka John F. Kennedy në Masaçusec, në Shtetet e Bashkuara. Njëkohësisht, ai është arkitekti i Muzeut Miho në Japoni, i kullës në Bank of China në Hong Kong, i Muzeut të Artit Modern në Luksemburg, i Muzeut të Artit Islamik në Katar dhe padyshim edhe i piramidave prej xhami në Muzeun e Luvrit në Francë.

Ieoh Ming Pei ka fituar një seri çmimesh ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Çmimin Pritzker në vitin 1983.