Ballina Aktualitet SHBA, ministri Cakaj: Shqipëria përkrah aleatëve për të shkatërruar ISIS

SHBA, ministri Cakaj: Shqipëria përkrah aleatëve për të shkatërruar ISIS

Ministri i deleguar për Evropën dhe Punët e jashtme, Gent Cakaj mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të Koalicionit Global për Shkatërrimin e ISIS, organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili u mbajt në Uashington.

Cakaj në fjalën e tij theksoi edhe njëherë gatishmërinë e Shqipërisë, që në krye të herës, për të qenë përkrah aleatëve, si dhe autoriteteve të Irakut, në përpjekjet e përbashkëta për të shkatërruar përfundimisht ISIS.

Ai gjithashtu vlerësoi se solidariteti që ka karakterizuar koalicionin, vendosmëria dhe kontributi substancial i përbashkët, ka dhënë rezultate të shkëlqyera në luftën kundër terrorizmit dhe ISIS.

Në përfundim të fjalës së tij Cakaj shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të vijuar mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë me aleatët, për të ndërtuar paqen e vështirë në rajon dhe inkurajuar qeverinë e Irakut për të siguruar dhe çuar përpara fitoren e arritur, për konsolidimin e paqes së qëndrueshme dhe prosperitetin ekonomik të vendit.