Ballina Uncategorized SHBA, Kosnett: Në Kosovë disa zyrtarë shpesh e vendosin interesin e tyre...

SHBA, Kosnett: Në Kosovë disa zyrtarë shpesh e vendosin interesin e tyre përpara të mirës publike

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett, tha të hënën se qeveria e Kosovës duhet të dëshmojë se mund të dënojë zyrtarët e korruptuar dhe atë duke filluar nga zyrtarët e lartë.

Ai i bëri këto komente në një veprimtari të përbashkët me ambasadorët e vendeve kryesore perëndimore në Kosovë në hapje të Javës kundër korrupsionit.

Ambasadori Kosnett tha se përgëzon qeverinë për përparimet e shënuara në luftën kundër korrupsionit, por kjo luftë është ende e pamjaftueshme.

“Transparenca dhe ligjet janë thelbësore, qeveria tani duhet të dëshmojë se është e gatshme të dënojë zyrtarin e korruptuar, për të ndëshkuar praktikat dhe sjelljet korruptive, duke filluar nga lart poshtë”, – tha ai duke nënvizuar se ligjet e mira funksionojnë vetëm kur zbatohen dhe atë në mënyrë të barabartë dhe me drejtësi për të gjithë.

“Siç e dimë të gjithë, disa zyrtarë qeveritarë marrin ryshfet, punësojnë miqtë dhe ndërhyjnë në gjyqësor. Disa vazhdimisht abuzojnë me pozicionet e tyre zyrtare me një qëllim; që të përfitojnë për veten e tyre, anëtarët e familjes dhe madje edhe miqtë e tyre. Në Kosovë fatkeqësisht, disa zyrtarë shpesh e vendosin interesin e tyre personal përpara të mirës publike. Korrupsioni në të gjitha nivelet, ndëshkon imazhin e Kosovës brenda dhe jashtë vendit, zvogëlon besimin e qytetarëve në qeveri dhe dekurajon investimet dhe rritjen ekonomike”, tha ambasadori Kosnett, duke nënvizuar se tashmë është koha për të lëvizur nga transparenca te përgjegjësia.