Ballina BOTA SHBA, këshilltari Bolton: Koha është tani për marrëveshjen Kosovë-Serbi

SHBA, këshilltari Bolton: Koha është tani për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Këshilltari i presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare John Bolton tha se momenti është tani për Kosovën dhe Serbinë të arrijnë një marrëveshje.
Zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë i bëri këto komente të martën përmes një postimi në Twitter pas takimit me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Zoti Bolton tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë të dyja palët drejt arritjes së këtij synimi historik.

Presidenti i Kosovës ndodhet në Uashington në një vizitë zyrtare. Të hënën ai u takua me Sekretarin e Shtetit Michael Pompeo. Sipas zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, zoti Pompeo përcolli të njejtin mesazh, duke u bërë thirrje të dyja palëve të shfrytëzojnë mundësinë që është krijuar për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është e vetmja mënyrë për t’u hapur rrugën të dy vendeve për integrimin e ardhshëm në komunitetin e vendeve perëndimore. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë dhe të mbështesin palët për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme, të zbatueshme dhe që të rrisë stabilitetin”, thuhet në deklaratën e zëdhënëses.

Shtetet e Bashkuara kanë theksuar gjatë muajve të fundit se janë të gatshme të shqyrtojnë çdo lloj marrëveshje për të cilën do të binin dakort të dyja palët dhe që do të ishte e zbatueshme.