Ballina BOTA SHBA, John Bolton: Koha është tani për marrëveshjen Kosovë-Serbi

SHBA, John Bolton: Koha është tani për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Këshilltari i presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare John Bolton tha se momenti është tani për Kosovën dhe Serbinë të arrijnë një marrëveshje.

yrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë i bëri këto komente të martën përmes një postimi në Twitter pas takimit me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Zoti Bolton tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë të dyja palët drejt arritjes së këtij synimi historik.

Presidenti i Kosovës ndodhet në Uashington në një vizitë zyrtare. Të hënën ai u takua me Sekretarin e Shtetit Michael Pompeo. Sipas zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, zoti Pompeo përcolli të njejtin mesazh, duke u bërë thirrje të dyja palëve të shfrytëzojnë mundësinë që është krijuar për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është e vetmja mënyrë për t’u hapur rrugën të dy vendeve për integrimin e ardhshëm në komunitetin e vendeve perëndimore. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë dhe të mbështesin palët për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme, të zbatueshme dhe që të rrisë stabilitetin”, thuhet në deklaratën e zëdhënëses.

Një krizë e re ka lindur ditët e fundit në marrëdhëniet mes dy vendeve, pas tarifave prej 100%, që qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj importeve serbe, në shenjë hakmarrje ndaj politikës së vazhdueshme të Beogradit për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Sekretari i Shtetit Pompeo i bëri thirrje presidentit Thaçi që Kosova t’i heqë tarifat tregëtare ndaj Serbisë.