Ballina BOTA SHBA, jep dorëheqjen këshilltari për sigurinë kombëtare i presidentit Trump

SHBA, jep dorëheqjen këshilltari për sigurinë kombëtare i presidentit Trump

John Bolton, këshilltari për sigurinë kombëtare i presidentit amerikan Donald Trump, ka dhënë dorëheqjen, një dorëheqje kjo e detyrueshme për shkak ka qenë presidenti Trump që e ka kërkuar atë. Sipas mediave amerikane, presidenti Trump ka bërë të ditur se as ai dhe as anëtarë të tjerë të kabinetit nuk ishin më dakort me qëndrimet e Bolton.

Largimi i Bolton kishte kohë që përflitej në korridoret e Shtëpisë së Bardhë, për shkak të divergjencave të forta me presidentin Trump për çështje madhore të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Bolton ka qenë kundër vendimeve të presidentit Trump për largimin e trupave amerikane nga Siria, për bisedimet e paqes me talebanët në Afganistan, për uljen e tensioneve me Korenë e Veriut etj.

John Bolton është i treti këshilltar për sigurinë kombëtare që largohet nga administrata e presidentit Donald Trump që nga fillimi i mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë.