Ballina BOTA SHBA, historia e veçantë e Carrie Hooper-it dhe adhurimi i saj për...

SHBA, historia e veçantë e Carrie Hooper-it dhe adhurimi i saj për shqiptarët

Carrie Hooper, profesore e gjermanishtes në Universitetin Elmira të Nju Jorkut, ka një histori shumë të veçantë: ajo është e verbër, por kjo nuk e ka penguar të zotërojë gjashtë gjuhë të huaja, mes tyre edhe shqipen. Carrie ka studjuar për muzikë dhe ka dy diploma pasuniversitare nga Universiteti i Buffalos, shteti i Nju Jorkut.

Ajo ka mësuar shqipen dhe ka një lidhje të veçantë me shqiptarët. Përmes Kancelarit të Arkidioqezës Ahqiptare në Boston, At Arthur Liolinit, Carrie është lidhur me komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe ka krijuar njohje me shumë shqiptarë, duke u bërë pjesë e aktiviteteve kulturore të diasporës në Nju Jork dhe në Detroit. Ajo këndon dhe u bie disa instrumenteve muzikore, mes tyre edhe çiftelisë, të cilën ajo thotë se ja ka dhuruar Gjergj Ded Vukaj, drejtuesi i Ansamblit “Bashkimi” në Nju Jork, anëtare e të cilit është edhe Carrie. Ajo shkruan poezi dhe ka botuar një libër me poezi në shqip dhe në anglisht.

Libria, i cili u promovua kohët e fundit në Nju Jork, nga Shoqata e Shrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, u botua në Kosovë, nën kujdesin e shkrimtarit Adnan Mehmeti. Gazetarja e Zërit të Amerikës Laura Konda ishte në mjediset e Universitetit “Elmira” të Nju Jorkut dhe përgatiti një kronikë, përmes së cilës Carrie Hooper rrëfen historinë e saj. Ajo flet me adhurim për shqiptarët: vlerëson mikpritjen, një tipar karakteristik që e ka përjetuar gjatë kontakteve me përfaqësues të diasporës. Carrie flet në intervistë edhe për vështirësitë që hasin në jetë njerëzit e verbër në Shtetet e Bashkuara, duke sjellë eksperiencën e saj dhe të mikut të saj Tim.