Ballina Aktualitet SHBA, hetimi për Rusinë, prokurori Mueller nuk rekomandon burgosjen e Flynn

SHBA, hetimi për Rusinë, prokurori Mueller nuk rekomandon burgosjen e Flynn

Prokurori i posaçëm Robert Mueller, i ngarkuar me hetimin e ndërhyrjes së pretenduar ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, rekomandoi një ditë më parë që ish-këshilltari i Trumpit për Sigurinë Kombëtare, Michael Flynn, të mos përballet me burgim, për shkak të bashkëpunimit të tij “substancial” me hetuesit.

Mueller thotë në dokumentet e dorëzuara në gjykatë se Flynn, i cili pranoi vitin e kaluar se kishte gënjyer mbi kontaktet e tij me rusët pas fitores së Trumpit në zgjedhjet e nëntorit 2016, kishte ndihmuar jo vetëm në hetimin e tij, por edhe në hetime të tjera penale federale, përfshi faktin që është marrë në pyetje për plot 19 herë.

Mueller i sugjeron gjithashtu Gjykatës federale të Uashingtonit se, pavarësisht shkeljeve të tij “serioze”, gjenerali me 3 yje i dalë në pension dhe ish-shefi i kundërzbulimit në Pentagon ka arritje të mëdha si ushtarak dhe nëpunës publik.

Rekomandimi surprizë në fakt vjen përpara vendimit të pritshëm që do të dënojë Flynnin, vendim që është shtyrë për plot 4 herë gjatë vitit të kaluar. Shtyrjet treguan se, personi që dikur ishte armiqësor ndaj hetimit që kërcënonte Trumpin dhe rrethin e tij të ngushtë, ndoshta është kthyer në një dëshmitar të vlefshëm në këto hetime.