Ballina BOTA SHBA, demokratët fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve

SHBA, demokratët fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve

Zgjedhjet e ndërmjetme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Demokratëve kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ndërkohë që Senati vijon të mbetet nën kontrollin e Republikanëve. Dhoma e Përfaqësuesve ka 435 anëtarë dhe deri tani janë konfirmuar rezultatet e 410 zonave zgjedhore, nga të cilat 218 i kanë fituar Demokratët. Në total, Demokratët kanë marrë më shumë se 50 përqind të votave.

Sa i përket Senatit, kjo dhomë e lartë e Kongresit ka 100 vende, ndërkohë që vetëm 35 nga ato ishin në garë. Rezultatet e deritanishme kanë konfirmuar se Republikanët do të vijojnë të ruajnë shumicën.

Demokratët tani kanë numrat e nevojshëm për të vënë veton ndaj ligjeve të propozuara nga presidenti Donald Trump dhe të nisin një varg hetimesh të dëmshme për administratën e tij. Në këtë mënyrë, këto zgjedhje ishin një “goditje” për presidentin Trump dhe qeverisjen e tij.

Marrja e kontrollit të dhomës së ulët të Kongresit për herë të parë në tetë vjet do t’u mundësojë Demokratëve të pengojnë axhendën e Shtëpisë së Bardhë.