Ballina Aktualitet SHBA, 80 mijë dollarë për foton Rama-Obama, dënohet me burg miku i...

SHBA, 80 mijë dollarë për foton Rama-Obama, dënohet me burg miku i Bilal Shehut

Një shtetas amerikan, i cili kontribuoi 80 mijë dollarë për fushatën elektorale të presidentit Barack Obama në vitin 2012, u dënua me katër muaj burg nga një gjykatë në New Jersey, pasi kontributi vinte nga një burim i huaj, burim që dyshohet se vinte nga Edi Rama.

Gjithsesi, kur akuzat u publikuan në vitin 2016, kryeministri Rama mohoi të ishte burimi i kontributit.

Shtetasi amerikan William Argeros u dënua me vetëm katër muaj burg pasi ai pranoi akuzën e ngritur ndaj tij.

Legjislacioni amerikan u ndalon shtetasve të huaj që të japin apo shtetasve amerikanë që të mundësojnë dhënien nga shtetas të huaj të kontributeve financiare për kandidatët që garojnë për poste federale. Përgjatë procesit gjyqësor, avokati John Azzarello, që përfaqësonte të dënuarin William Argeros, tha se klienti i tij vepronte në emër të një kandidati për postin e kryeministrit në Shqipëri, i cili dëshironte një foto presidentin Barack Obama. Shtetasi amerikan William Argeros kishte organizuar dhënien e kontributit prej 80 mijë dollarë përmes amerikano-shqiptarit Bilal Shehu, i cili u dënua me kusht në vitin 2017.