Ballina Aktualitet Shah, turneu ndërkombëtar për fëmijë New Chess Generation 2019, fiton Alket Çaushi...

Shah, turneu ndërkombëtar për fëmijë New Chess Generation 2019, fiton Alket Çaushi (VIDEO)

Alket Çaushi, Aleksandër Xhembulla, Lambion Salihaj - New Chess Generation Durrës 2019

Për katër ditë me radhë, më shumë se 80 shahistë të rinj, djem dhe vajza, nga Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit, si Bullgaria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, morën pjesë në edicionin e parë të turneut ndërkombëtar të shahut për fëmijë New Chess Generation Durrës 2019, organizuar nga Shoqata e Mjeshtrave të Shahut “Albania”.

Për katër ditë me radhë, fëmijët me trajnerët dhe prindërit e tyre u akomoduan në mjediset e Diamma Resort, në bregdetin e Durrësit, e cila dha një ndihmë të pakursyer në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.

Shahistët, të gjithë nën moshën 18 vjeç, u ndeshën mes tyre në këtë turne, që filloi më 4 prill për të përfunduar pasditen e 7 prillit. Mes pjesëmarrësve binin në sy 17-vjeçari maqedonas Luka Ljeskovic me koeficientin ELO 1769, më të lartin mes shahistëve në turne, apo edhe 17-vjeçari nga Durrësi, Alket Çaushi, me koeficientin ELO 1736. Padyshim që mes pjesëmarrësve ishte edhe 13-vjeçarja nga Durrësi, Elisa Isufi, me koeficionetin ELO 1508, koeficientin më të lartë mes vajzave.

Emocionet në garë ishin të larta, ashtu siç ishte edhe përqëndrimi i shahistëve të vegjël, ndërkohë që gjithçka zhvillohej nën vëzhgimin e kujdesshëm të gjyqtarëve të turneut. Ndeshje pas ndeshje, në ditën e fundit të turnet, nisën të konturoheshin edhe pretendentët kryesorë.

Ndihmësgjyqtari Arian Bllaca, teksa nënvizon se organizimi i një turneu të tillë ndërkombëtar nuk ishte një ndërmarje e lehtë, thekson se “qëllimi kryesor i tij është të zbulojë dhe të provomojë talentet e reja.”

Pjesë e këtij turneu, me mbështetjen e vet, ishte edhe Federata Shqiptare e Shahut, dhe patjetër që gjatë ndeshjeve nuk mund të mungonte as mjeshtri i madh Erald Dervishi. Ai pa nga afër shahistët e rinj teksa përpiqeshin të zgjidhnin strategjitë e duhura për të mundur kundërshtarin dhe, sipas mjeshtrit të madh Dervishi, “padyshim që mes tyre ndodhen edhe kampionët e ardhëm ndërkombëtarë.”

Pas përfundimit edhe të ndeshjes së fundit, radha i erdhi ceremonisë së shpalljes së fituesve. Drejtori i turnet New Chess Generation Durrës 2019, Kristaq Andoni, fillimisht shpalli fituesit, duke filluar nga vendi i dhjetë tek i pari. Në përfundim të turneut dhe në bazë të pikëve të mbledhura, fitues u shpall shahisti durrsak Alket Çaushi.

Në cilësinë e sponsorit gjeneral, Diamma Resort i akordoi edhe një çmim special fituesit të turneut, çmim ky që kishte formën e një pakete pushimi njëjavore në Diamma Resort dhe që e bëri të ditur vetë drejtori i turneut New Chess Generation Durrës 2019, Kristaq Andoni.

Në vijim të ceremonisë, turneu New Chess Generation Durrës 2019 ndau edhe çmimet për të gjitha grupmoshat, nga 8 vjeç deri në 18 vjeç. Njëkohësisht, në nder të mjeshtrit të FIDE, Harallamb Boshku, turneu ndau edhe tre çmime inkurajuese, çmim ky që kishte edhe emrin e shahistit të mirënjohur durrsak.

Në përfundim, nuk mund të mungonte si mirënjohja për mbështetësit e turneut, ku rolin kryesor e luajti Diamma Resort, ashtu edhe përshëndetja e menaxheres së vetë Diamma Resort, Adela Halili.

Edicioni i parë i turneut New Chess Generation Durrës 2019 u mbyll me premtimin e rikthimit përsëri vitin e ardhshëm, në përmasa edhe më të mëdha se sa ky edicion që çeli siparin e një iniciative të Shoqatës së Mjeshtrave të Shahut “Albania”, iniciativë kjo që vlen për t’u përgëzuar.