Ballina LAJME Serbi, rezultati i sondazhit, qytetarët mendojnë se Beogradi e ka humbur Kosovën

Serbi, rezultati i sondazhit, qytetarët mendojnë se Beogradi e ka humbur Kosovën

Shumica e qytetarëve serbë mendojnë se Serbia e ka humbur Kosovën dhe nuk mund ta kthejë sërish nën sovranitetin e saj. Ky ka qenë rezultati kryesor i një sondazhi të realizuar nga Instituti për Çështje Evropiane në Beograd. Megjithatë, serbët besojnë se qeveria nuk do ta njohë Kosovën dhe, nëse do të organizohej ndonjë referendum i mundshëm, vetë ata do të votonin kundër njohjes së saj.

Sipas të dhënave të publikuara, 47 përqind e të intervistuarve kanë thënë se Kosova është e humbur, 41 përqind mendojnë të kundërtën, ndërsa 12 përqind nuk kanë pasur përgjigje.

Ndërkohë, sa i përket pyetjes se si do të votonin nëse do të organizohej një referendum për çështjen e pavarësisë së Kosovës, 74,5 përqind kanë thënë se do të votonin kundër.

Në sondazh u përfshinë 1 207 qytetarë dhe ai u realizua në periudhën ndërmjet 8 dhe 14 marsit të këtij viti.