Ballina LAJME Serbi, presidenti Vuçiç për platformën e Prishtinës: BE na mashtroi

Serbi, presidenti Vuçiç për platformën e Prishtinës: BE na mashtroi

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç e quajtur ultimatum të papranueshëm platformën për dialog që ka miratuar dy ditë më Kuvendi i Kosovës. Madje, ai ka theksuar se mbështetja që Bashkimi Evropian i kishte dhënë platformës së Prishtinës ishte një veprim mashtrues përkundrejt Serbisë.

“Bashkimi Evropian më ka mashtruar, pasi kishte premtuar se ajo platformë as nuk do të jetë në rend dite të Kuvendit të Kosovës,” – tha presidenti Vuçiç gjatë një tubimi në Mitrovicën e Sremit, siç njihet ndryshe pjesa e krahinës së Mitrovicës në territorin serb.

Kundër platformës së Kosovës për bisedime me Serbinë ka folur të premten edhe kryeministrja serbe Ana Brnabiç. Ajo tha se miratimi i kësaj platforme nga ana e Prishtinës është goditja e fundit që i bëhet dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Megjithatë, Brukseli zyrtar ka nënvizuar se platforma për bisedime me Serbinë, e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, paraqet pozicionin vetëm të njërës palë. “Bashkimi Evropian, si ndërmjetës, nuk i komenton pozicionet individuale të palëve në dialog, por është më se e qartë se vetëm përmes dialogut mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare,” – ka thënë zëdhënësja e BE, Maja Kocijançiç.

Autoritetet qeverisëse në Prishtinë, pa dy partitë më të mëdha opozitare, kanë hartuar një platformë dhe e kanë miratuar atë në formën e një ligji, i cili do të rregullojë procesin e dialogut me Beogradin për arritjen e një marrëveshje të njohjes reciproke.