Ballina RAJONI Serbi, presidenti Vuçiç nxit serbët e Kosovës që të lindin sa më...

Serbi, presidenti Vuçiç nxit serbët e Kosovës që të lindin sa më shumë fëmijë

Presidenti serb Aleksandar Vucic i ka bërë thirrje serbëve në Kosovë që të shtojnë lindjet dhe të rrisin praninë e tyre, si një nga kushtet për të përmirësuar statusin e tyre politik dhe ekonomik. Ai ka qenë i pranishëm sot në studiot e TV Pink, një prej mediave televizive më të mëdha serbe, ku, gjatë një interviste të hollësishme, ka trajtuar tema të ndryshme të aktualitetit.

Presidenti Vucic, pavarësisht acarimit të marrëdhënieve me Kosovën, ishte i gatshëm për të vijuar procesin e negociatave për normalizimin e gjendjes. “Sa do që mund të jetë e dhimbshme, ne jemi të gatshëm të bisedojmë, – ka thënë Vucic. – Unë jam i gatshëm të jap gjithça që kam arritur në politikë, edhe besimin që e kam fituar, pasi sondazhet tregojnë se në dy muajt e fundit kemi besimin më të madh se kurrë më parë. Por, jam i gatshëm që të gjitha këto t’i humb në mënyrë që të siguroj një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë.”

Por, më e veçanta ka qenë thirrja e tij drejtuar komunitetit serb në Kosovë për të shtuar numrin e tyre duke rritur lindjet. “Ne do të mundohemi që vitin tjetër t’i rrisim lindjet në Kosovë në mënyrë që të kemi më shumë fëmijë dhe njerëzit atje të kenë të ardhme, – ka theksuar presidenti serb. – Tri ditë njerëzit këtu flasin për Kosovën, pastaj diçka tjetër u bëhet më e rëndësishme. Por, populli ynë mund të mbështetet tek shteti i vet, tek Serbia.”