Serbi, nuk ka kthim prapa nga pajisja me sistemin rus të mbrojtjes kundërajrore

36

Serbia nuk do të pezullojë blerjen e sistemit rus Pantsir-S të mbrojtjes kundërajrore, pavarësisht paralajmërimeve për sanksione nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas mediave ndërkombëtare, Rusia do t’i dërgojë këto sisteme në Serbi në muajt e ardhshëm në përputhje me kontratën e nënshkruar.

Ministri serb i mbrojtjes Aleksandar Vulin ka deklaruar se sistemi rus raketor i mbrojtjes kundërajrore do të ishte garantuesi i paqes afatgjatë në rajon. Qëllimi i instalimit të sistemit raketor është mbrojtja e pikave kritike, siç janë aeroportet, komandat dhe qendrat e kontaktit nga sulmet e mundshme me avionë, helikopterë dhe avionë pa pilot.

Një muaj më parë, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, deklaroi se Beogradi mund të jetë subjekt i sanksioneve nëse blen armë ruse. “Ne shpresojmë se partnerët tanë serbë do të jenë të kujdesshëm për transaksione të këtij lloji,” – ka thënë Palmer.

Një njësi e sistemit raketor rus Pantsir-S të mbrojtjes kundërajrore kushton rreth 15 milionë dollarë dhe bën pjesë në sistemet e mbrojtjes me rrezë të shkurtër veprimi deri në 18 kilometra.