Ballina RAJONI Serbi, kryeministrja Brnabiç reagon ashpër ndaj kryeministrit Rama

Serbi, kryeministrja Brnabiç reagon ashpër ndaj kryeministrit Rama

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç iu përgjigj deklaratave të kryeministrit Edi Rama në Kroaci, sipas të cilit Serbia kishte shkelur rregullat e CEFTA-s në lidhje me Kosovën.

Brnabiç tha se mendonte se Rama ishte një politikan i përgjegjshëm, por për fat të keq, ishte gabim.

“Mendoj se puna e një kryeministri të përgjegjshëm, siç e kam menduar edhe kolegun Edi Rama, është të merreni me gjëra konkrete dhe të krijoni një mundësi për jetë cilësore për qytetarët tuaj dhe të rajonit. Por, duket se jam zhgënjyer dhe qëllimi i vetëm i Ramës është të bëjë spin politik dhe të fajësojë Serbinë për të gjitha vendimet e pakuptimta të Prishtinës,” – tha ajo gjatë një konference për shtyp.

Kryeministrja serbe shtoi se “nuk i pëlqen t’u përgjigjet gënjeshtrave plotësisht të guximshme dhe pretendimeve të pabazuara” – por e bëri këtë herë, duke marrë parasysh situatën e vështirë”.

Ajo kujtoi se shpjegimi i parë i qeverisë së Kosovës për taksën 100% për produktet serbe, ishte pengesa që Serbia i bëri vendit për anëtarësim në INTERPOL dhe shtoi se i cilëson të pabesueshme deklaratat e Edi Ramës, ku deklaroi se Prishtina ishte ankuar për shkeljet e Serbisë, por “nuk mori asnjë reagim nga ana tjetër”.

Brnabiç shtoi se në qoftë se rezulton se nuk ka dëshmi se Prishtina është ankuar më parë pranë CEFTA-s, atëherë Edi Rama u mundua të mashtrojë publikisht rajonin dhe BE-në.