Sekuestrohen 13 doza kokaine në Durrës, arrestohet një i ri

87

Policia e Durrësit ka goditur një tjetër rast të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, ku ka sekuestruar 13 doza me lëndë narkotike kokainë dhe ka arrestuar në flagrancë poseduesin e tyre, si dhe ka proceduar penalisht dhe 2 shtetas të tjerë.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat”, bazë të informacioneve të siguruara nga Sektori për Hetimin e Krimeve se një shtetas merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike në doza, organizuan punën dhe ushtruan kontroll në një lokal në Hamallaj ku ndodhej shtetasi A. K. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij u gjetën 13 doza me lëndë narkotike kokainë. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 24 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”.” – njofton policia.

Po ashtu, u proceduan penalisht shtetasi S. T., 24 vjeç, banues në Hamallaj (pronari lokalit), për veprën penale “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake”, pasi gjatë kontrollit në ambientet e lokalit të tij u gjetën 6 fishekë dhe shtetasi L. B., 31 vjeç, banues në Hamallaj, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël me lëndë narkotike marijuanë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 doza me lëndë narkotike kokainë, 6 fishekë, një sasi lënde narkotike marijuanë dhe një peshore elektronike.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.