Ballina KULTURË Sekreti i Xhensila Myrtezaj me Pirro Çakon, sa kohë iu desh të...

Sekreti i Xhensila Myrtezaj me Pirro Çakon, sa kohë iu desh të bënte realitet ëndrrën e saj

Shtatë vite më parë, Xhensila Myrtezaj ndau emocionet e skenës me kantautorin e njohur Pirro Çako, duke risjellë në një duet krijimin e tij “Për një çast më ndali zemra” gjatë spektaklit “100 vjet muzikë”.

Kimia që u ndie mes tyre në atë skenë, presim ta shohim dhe në bashkëpunimin e tyre më të ri që pritet ta kthejë Xhensilën në muzikë fuqishëm, pas disa vitesh me një baladë të ndjerë.

Vetë Xhensila ka ndarë me miqtë foton me Pirron, të shoqëruar me statusin “Sekreti im”, që do të jetë titulli i këngës. Sa i përket pamjes, ajo shfaqet me flokë në ngjyrën kafe dhe e kuruar, momente të shkëputura nga xhirimet e të klipit, për realizimin e të cilit ka bashkëpunuar me regjisorin e “Dua të të bëj të lumtur”, Eduart Grishaj.

Duket se çdo hallkë e projektit po shkon drejt përfundimit, për të qenë gati për publikun këtë pranverë. Ndonëse ka vetëm disa muaj që është bërë nënë, Xhensila Myrtezaj nuk i ndahet muzikës. Duket se këngëtarja ka zgjedhur që të mos ndërpresë karrierën duke punuar për këtë projekt të ri me Çakon, të cilin po e punon në studion e Darko Dimitrov.

Së fundi, ajo u shpreh për mediat se ky bashkëpunim ka qenë një ëndërr për të që kur ishte e vogël, pasi Pirro sillte hit-e në muzikë. “Po, është një bashkëpunim të cilin e kam ëndërruar që në vogëli. Atëherë kur Pirro Çako këndonte duetet më të bukura me këngëtaret më të mira. Nuk kemi një datë apo ditë fikse se kur do të publikohet kënga, por ne jemi të përfshirë maksimalisht dhe po punojmë fort që ta sjellim shumë shpejt. Di të them që kjo baladë më ka marrë gjithë zemrën”, u shpreh Xhensila për një revistë.