Ballina Kuriozitete Sa kushton dashuria në Shqipëri ?

Sa kushton dashuria në Shqipëri ?

Dita e Shën Valentinit në Shqipëri, ashtu si çdo festë e “importuar”, ka marrë trajtë tjetër tashmë, një çift shqiptar nuk e kalon më këtë ditë vetëm me një trëndafil. Fatura është rritur aq shumë, sa kushton më pak të jesh “single”. Sipas një përllogaritje të të gjithë sektorëve ku është fokusuar më tepër vëmendja e dhuratave të çifteve, 14 shkurti kushton jo më pak se 200 euro…

Në këtë ditë, qindra çifte do të mendojnë të shkojnë në darkë në një restorant, të blejnë një tufë me trëndafila dhe t’i japin njëri-tjetrit dhurata, ndër të cilat bizhuteritë apo parfumet kryesojnë. Si rezultat, çmimet e këtyre produkteve, veçanërisht darkat apo lulet, do të rriten. Kërkesën për Ditën e Shën Valentinit, ekonomistët e quajnë “çmim joelastik”, që do të thotë se rritjet e mëdha në çmim kanë vetëm një efekt të vogël zbutës në kërkesë. Shumë pak meshkuj do të guxojnë të shfaqen pa trëndafila të kuq, të cilat tani kushtojnë dy herë më shumë se sa në një ditë të zakonshme – jo nëse duan të mbajnë raportin e tyre “gjallë”. Edhe kërkesat për restorante kanë qenë të larta vitet e fundit.

Sipas bizneseve, mendohet të rezervohet të paktën një muaj më parë nëse dëshironi një restorant të mirë dhe një menu të personalizuar. Zgjedhjet janë të larmishme. Përveç luleve, ëmbëlsirave, një darkë në një restorant në kryeqytet ose jashtë saj, më pas vjen dhurata. Ajo përfshin shumë sektorë, duke filluar nga kujdesi personal, deri te veshjet, udhëtimet, një kupon për t’u shpenzuar diku, bizhuteri etj. Më të privilegjuarat janë femrat, por nuk mungojnë edhe dhuratat për meshkujt.

Lule

Trëndafili është kurorëzuar prej vitesh si zgjedhja kryesore e dhuratave për Shën Valentinin. Dhe ndërsa mendohet se nuk mund të hiqet si opsion dhurate, vitet e fundit operatorët në këtë fushë pohojnë se përzgjedhja ka nisur të jetë më e sofistikuar. Trëndafili i kuq kryeson kërkesat, por së fundmi trendi i trëndafilave të balsamosur me ngjyra të ndryshme, si në filmin “E bukura dhe Bisha”, ka rrëzuar disi popullaritetin e trëndafilave të thjeshtë. Një ndër kërkesat në rritje për festën dashurisë, sipas saj, është arredimi i një ambienti të caktuar, si një surprizë në çift, qoftë një ambient i jashtëm apo edhe vetë shtëpia. Sipas një numri dyqanesh të kontaktuar në kryeqytet, kosto mesatare e një buqete lulesh shkon 5000 lekë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se importet e luleve janë rritur vit pas viti, duke kulmuar në shkurt, mars (për fesëtn e 8 marsit) dhe në verë, kur është periudhë dasmash. Rekordin, lulet e importuara e shënuan në 2017-n, duke u rritur me 27% me bazë vjetore. Në 2018-n, ato arritën në 7.5 milionë euro, duke rënë me 10% me bazë vjetore, një tendencë rënëse që shënohet për herë të parë të paktën në 10 vitet e fundit.
Ndryshe nga lulet natyrale, ato artificiale kanë pasur tendencë rritëse prej 17.5% në 2018-n, ndonëse në vlerë shumë më të ulët se natyralet.

Kujdesi personal

Kujdesi personal mendohet se zë një vend shumë të rëndësishëm në shpenzimet e femrave dhe çdo festë, sikurse edhe 14 shkurti, e dëshmon këtë. Kërkesat për t’i bërë partneres një dhuratë të tillë këtë vit kanë qenë të shumta, e ndaj përfaqësuesit menduan të shtonin paketat e reja për Shën Valentin, që ofronin një gamë të gjerë të shërbimeve: spa, masazhe, trajtime të ndryshime estetike, me qëllim që të kenë interes të gjerë.

Prej disa vitesh, edhe në qendra të tjera të sektorit të bukurisë dhe Spa-së, paketat ofrohen në çift, ose edhe të personalizuara për meshkuj. Kërkesat për të tilla paketa janë në rritje prej vitesh, duke rrëzuar mitin e dhuratave të zakonshme për meshkujt. Paketat nisin nga 4000 lekë personi ose në ofertë 6000 lekë në çift. Drejtuesit e këtyre qendrave pohojnë se kjo nuk është dhurata e vetme që ata i bëjnë njëri-tjetrit.

Kujdesi për veten është shtuar tek shqiptarët vit pas viti. Këtë e tregojnë dhe të dhënat e INSTAT për produktet e kozmetikës, tualetit dhe parfumeve, që shënojnë rritje të ndjeshme dy shifrore çdo vit. Në vitin 2018, importet e këtij grupi arritën në gati 60 milionë euro, nga 26 milionë euro që ishin 10 vjet më parë.

Fotografia

Si një shërbim i ri dhe tepër në modë vitet e fundit, fotografia ka nisur të përdoret edhe si dhuratë për festën e të dashuruarve. Njëri nga partnerët i bën dhuratë tjetrit ose në çift një shërbim fotografik profesional.

Veshjet

Festa e Shën Valentinit, sipas përfaqësuesve të shumë dyqaneve të shitjeve me pakicë, shërben si periudhë për të gjurmuar ulje të mëdha në veshje dhe këpucë. Sot, festat janë shpesh nxitje për të bërë oferta të leverdishme për të tërhequr klientë. Prej më shumë se 5 vitesh, në dyqan bëhet ulje dhe kjo është nxitja që femrat të shkojnë të blejnë, ndërsa janë të rralla rastet kur meshkujt marrin produkte për to. Mesatarja e shpenzimeve, sipas saj, është 5000 lekë për një veshje.

Restorante

Oferta të shumta nisën të “bombardojnë” rrjetet sociale por edhe reklamat në televizione të ndryshme, për formën se si një çift duhet ta kalojë Ditën e Shën Valentinit. Përveç një vakti në një restorant, paketat këtë vit ofronin edhe muzikë live të personalizuar në tavolinë apo edhe fjetjen në rastin e një hoteli ose resorti.

Udhëtime

Edhe për Shën Valentin, rajoni është preferuar shumë, duke marrë në konsideratë prenotimet paraprake nga të dhënat e tre agjencive në kryeqytet. Kolashini ka qenë tepër i preferuar, pasi një çift, me një kosto prej 110 euro/çifti kalojnë 14 shkurtin aty dhe gjithashtu, të nesërmen e përdorin si një kohë të përshtatshme për ski. Një tjetër udhëtim ka qenë Budapesti, i cili ndonëse me kosto më të larta se në janar, edhe në messhkurt ka ofruar mundësi të mira, me rreth 150 euro person/3 ditë.

Parisi nuk kishte se si të mungonte në ofertat e 14 shkurtit. Sipas agjencive, Parisi ka qenë më i lirë këtë vit dhe kanë pasur prenotime edhe nga grupe shoqërore, veçse çifteve. Kostoja ka variuar te 250 euro për person për 3 ditë. Venecia dhe Verona, dy destinacione italiane, prej vitesh janë zgjedhur për Shën Valentin. Udhëtimet në këto destinacione kanë qenë tepër të kërkuara dhe agjencitë pohojnë mesatarisht çmime te 220 euro për person/ 3 ditë.

Bizhuteri

Bizhuteritë mund të konsiderohen pa frikë ‘mbretëresha’ e përzgjedhjes së dhuratave. Sipas përfaqësuesve edhe këtë vit kërkesat kanë qenë të larta për bizhuteri me diamante. Ata thonë se kanë qenë të kërkuara një numër unazash në vlerën e 500 euro. Gama e blerjeve ka qenë e ndryshme ashtu sikurse edhe vlera, duke nisur nga një byzylyk i thjeshtë në flori 14 karatësh, 59 euro, e deri tek unazat apo kompletet me varëse 1000 euro.

Por ka edhe kështu…

Partneri/ja po kërkon që më 14 shkurt t’i tregosh që ka ende për të përmirësuar? Ka nga ata që për Shën Valentin dhurojnë kuponë për palestër. Disa palestra në kryeqytet tregojnë se kanë pasur flukse prenotimesh përpara javës së 14 shkurtit. Kjo ka përkuar edhe me periudhën e zakonshme të prenotimeve që përgatiten për sezonin veror. Megjithatë, ata raportojnë shitje të larta të kuponëve të abonimeve për palestër, si dhurata për femrat. Çmimi i një kuponi të tillë varion 2500-4500 lekë në muaj.

Këtë vit kanë qenë të habitshme shërbimet kirurgjikale. E kishit menduar ndonjëherë të merrni dhuratë për Shën Valentin një ndërhyrje për hundën ose buzët? Në disa klinika në kryeqytet ka pasur paketa promocionale si 150 euro/filler i buzëve që ka tërhequr vëmendjen për t’u konsideruar si dhuratë dashurie.

Kostoja e Shën Valentinit

Për shumë çifte, Dita e Shën Valentinit është një datë e rëndësishme në kalendarin e tyre, pasi bëhet fjalë për një festë për dashurinë. Për shumë çifte, kjo do të sillte prenotime udhëtimesh romantike, darka të shijshme në restorantet më të mira, apo shkëmbime dhuratash të veçanta. Për të tjerë, është një ditë e bezdisshme, shpesh e shtrenjtë, por që nuk kanë zgjidhje tjetër. Sa u përket sektorëve që përfitojnë nga kjo festë, do të thotë burim të ardhurash, p.sh. restorantet, bizhuteritë dhe industrisë turistike.