Ballina Shëndetësi Sa bulmet duhet të konsumojmë?

Sa bulmet duhet të konsumojmë?

Studimi PURE (Prospective Urban Rural Epidemiology study), i publikuar në The Lancet, ka vëzhguar për plot 10 vite, konsumin e ushqimit nga 135.335 persona adultë, në 18 vende të botës. Rezultati? Vdekshmëria e rritur lidhet me konsumin e lartë të sheqernave dhe jo të yndyrnave. Përkundrazi, yndyrnat, dhe pikërisht ato që janë akuzuar më së shumti për sëmundjet e zemrës, yndyrnat e ngurta – janë lidhur me mbrojtje te sistemit kardiovaskular. Kur studiuesit u thelluan edhe më shumë në të dhënat e mbledhura, konstatuan se konsumi i përditshëm i 2 racioneve bulmet, ofronte mbrojtje nga vdekshmëria, krahasuar me konsumin 0 të bulmetit. Madje edhe bulmeti me yndyrë të plotë shfaqi të njëjtin efekt.

Por, përpara se t’i lëshojmë frenat me bulmetin, duhet të konsiderojmë edhe një tjetër studim që vjen nga vendi ku konsumohet më shumë qumësht se kudo gjetkë – Finlanda, i cili ka gjetur një lidhje te dukshme të konsumit të mbi 2 gotave qumësht në ditë, me 32% më shumë rrezik nga vdekja. Këtij konkluzioni i bashkohen edhe disa studime metanalitike të publikuara së fundmi.

Konkluzioni? Me sa duket, djathi dhe kosi janë me superior sesa qumështi.
Arsyeja përse, nëse vërtetë qumështi ka një efekt negativ për shëndetin kardiovaskular, mbetet ende të studiohet, deri atëherë, vazhdohet të këshillohet zgjedhja e qumështit pa yndyrë, jo më shumë se 2 gota në ditë.