Ballina BOTA Rusia në samitin e G7, Trump dhe Macron: Të ftohet vitin tjetër

Rusia në samitin e G7, Trump dhe Macron: Të ftohet vitin tjetër

Presidenti i SHBA, Donald Trump dhe homologu i tij francez Emmanuel Macron kanë rënë dakord se Rusia duhet të ftohet për të marrë pjesë në samitin e G-7s vitin e ardhshëm, me kushtin që Rusia të bëjë përparim në bisedimet për paqen në Ukrainë.

Sugjerimi i zotit Trump për ta rikthyer Rusinë në tryezë nuk ishte befasi për shumicën e analistëve.

“Mendoj se deklaratat e presidentit janë në përputhje me përpjekjet e tij për ta kthyer gradualisht Rusinë në bashkësinë ndërkombëtare pa kushte paraprake. Mendoj se është kundër-produktive dhe e rrezikshme që t’i dërgohet Rusisë sinjali se në thelb ajo mund të ftohet përsëri në klubin e lojtarëve të respektuar ndërkombëtarë, edhe pse vazhdon të mbajë të mbajë të pushtuar jo vetëm Krimenë, por edhe Ukrainën Lindore,” thotë Mark Simakovsky i Këshillit Atlantik në Uashington.

Në një bisedë telefonike me zotin Trump, Presidenti francez Macron ra dakord se pezullimi i Rusisë duhet të hiqet, por me një parakusht shumë të qartë: që të ketë përparim në bisedimet e paqes për Ukrainën.

Disa në bashkësinë diplomatike besojnë se arritja e rezultateve të prekshme në këto bisedime duhet të përcaktojë nëse G-7 mund të bëhet përsëri G-8 me pjesëmarrjen e Rusisë në vitin 2020.