Ballina BOTA Rusi, raport për senatin, shfrytëzohet media sociale për të ndihmuar z.Trump në...

Rusi, raport për senatin, shfrytëzohet media sociale për të ndihmuar z.Trump në zgjedhje

Një raport paraprak që po përgatitet për Senatin amerikan, i ka rënë në dorë gazetës Washington Post. Në raport thuhet se Rusia ka përdorur çdo platformë kryesore të medias sociale për t’u përcjellë disinformim votuesve në mënyrë që të zgjidhej president zoti Donald Trump.

E përditshmja shkruante në numrin e së dielës se raporti u përgatit nga Projekti i Analizimit të Propagandës nga Universiteti i Oksfordit dhe nga firma analitike Graphika. Raporti thotë se shtetas rusë që punonin për një grup të quajtur Agjencia për Kërkime në Internet (IRA) filluan të eksperimentojnë në forma të ndryshme në median sociale për të ndikuar tek zgjedhjet vendore të 2009 dhe i zgjeruan operacionet në zgjedhjet e 2013 duke përdorur Twitter.

Gradualisht puna e tyre u shtri në platforma të tjera me përdorim të gjerë si YouTube, Facebook dhe Instagram. Për fushatën presidenciale të 2016-tës, raporti thotë se rusët u përpoqën të mobilizojnë votues konservatorë për të mbështetur zotin Trump, duke theksuar tema si të drejtën e armëmbajtjes dhe imigracionin.

Njëkohësisht, operativë rusë u dërgonin mesazhe dhe informacione të tjera votuesve afrikano-amerikanë me synimin për t’i ngatërruar për procesin zgjedhor, përfshirë informacion çorientues mbi mënyrat e votimit.

Edhe grupime të tjera si liberalët, gratë, latino-amerikanët dhe veteranët u vunë në shenjestër nga kjo fushatë me informacion që ose theksonte bindjet e tyre ose përpiqej t’i shkurajonte që të mos votonin.