Ballina Aktualitet Rumani, samiti i BE, Cakaj: Vlerësime pozitive për negociatat

Rumani, samiti i BE, Cakaj: Vlerësime pozitive për negociatat

Në kuadër të presidencës rumune të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, u mbajt në Bukuresht takimi dyditor i ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE dhe vendeve kandidate.

Në takim ishte i pranishëm edhe ministri i deleguar për Evropën dhe Punët e jashtme Gent Cakaj, i cili evidentoi arritjet e deritanishme të Shqipërisë në kuadër të reformave integruese.

“Vlen të theksohet se Shqipëria ka marrë një vlerësim për faktin që politika e saj e jashtme është në përputhshmëri të plotë me parimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian. Ky takim ofroi edhe një mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e një vargu takimesh bilaterale me homologët e vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian, me ç’rast patëm mundësinë të komunikojmë rezultatet kryesore të reformave të arritura në Shqipëri dhe natyrisht, domosdoshmërinë e hapjes së negociatave në qershorin e këtij viti. Procesi i zgjerimit vazhdon të mbetet një prej prioriteteve qendrore të presidencës rumune dhe përgjatë të gjitha takimeve që kemi pasur me homologët e Bashkimit Europian, kemi marrë një vlerësim jashtëzakonisht pozitiv për ecurinë e deritanishme të procesit të hapjes së negociatave për anëtarësim,” – u shpreh Cakaj.

Nga ky takim u rikonfirmua edhe një herë mbështetja për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit evropian.