Ballina Aktualitet Rumani, samiti i BE, Cakaj i kundërpërgjigjet Daçiçit: Edhe ju nga Kosova...

Rumani, samiti i BE, Cakaj i kundërpërgjigjet Daçiçit: Edhe ju nga Kosova jeni

Ministri i deleguar për Evropën dhe punët e jashtme Gent Cakaj ka pasur dje takimin e parë me homologët e tij të rajonit dhe të Bashkimit Evropian, në kuadër të samitit që u zhvillua në Bukuresht, dhe menjëherë ka ndjerë shigjetimet e ardhura nga ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç, shigjetime të cilat ai i ka kaluar me shumë zgjuarsi.

Meqënëse në takim ka qenë i pranishëm edhe ministri i jashtëm kosovar Behgjet Pacolli, dhe duke ditur faktin se Cakaj është me origjinë nga Kosova dhe, krahas shtetësisë shqiptare, mban edhe shtetësinë kosovare, Daçiç ka gjetur kështu arsyen për ta parë këtë si provokim, duke e nisur takimin me shigjetime.

“Pse Kosova ka dy ministra të jashtëm në tryezë? Ky është një provokim i rëndë që na bëhet nga ministri i jashtëm Edi Rama,” – ka thënë ministri i jashtëm serb Daçiç.

Por, Cakaj nuk ia ka lënë mangët Daçiçit, duke i kthyer një përgjigje të shpejtë, që ka shkaktuar edhe pak ilaritet në sallë. Nisur nga fakti që Ivica Daçiç është me origjinë nga Prizreni, ministri i deleguar Cakaj i ka kujtuar se duhej të ishte skandalizuar shumë më herët.

“Në fakt, zoti ministër, ju duhet të ishit skandalizuar më parë, sepse Kosova i ka pasur dy, dhe ka një fjalë që thotë nuk ka dy pa tre. Ju jeni nga Prizreni apo jo, por përfaqësoni këtu Serbinë, ndërsa unë po, jam shqiptar nga Kosova dhe përfaqësoj Shqipërinë,” – është kundërpërgjigjur Cakaj.