Ballina Aktualitet Rrogozhinë, pas protestave të banorëve, vendoset porta e rezervuarit të Okshtunit

Rrogozhinë, pas protestave të banorëve, vendoset porta e rezervuarit të Okshtunit

Pas protestave të herëpashershme të banorëve të zonës, më në fund porta e rezervuarit të Okshtunit është riparuar dhe vendosur në vend, duke u krijuar kështu mundësinë fermerëve që të vadisnin tokat e tyre gjatë stinës së verës.

Stina e lagësht e dimrit dhe e pranverës duhet të ishte pikërisht koha kur rezervuari i Okshtunit do të mbushej me ujë, që fermerët e fshatrave përreth të vadisnin tokat e tyre gjatë muajve të thatë të verës. Por, porta e prishur e rezervuarit bëri që ai të mos mbushej dot, dhe rrugëzgjidhja e vetme e banorëve ishte protesta, për t’i kërkuar Bashkisë së Rrogozhinës që të ndërhyjë për zgjidhjen e këtij problemi.

Në fakt, banorët e Okshtunit dhe të fshatrave të tjerë përreth protestuan më shumë se një herë. Madje, një javë më parë, ata bënë të ditur se do të protestonin deri edhe para vetë Bashkisë së Rrogozhinës.

Kjo vendosmëri e banorëve solli edhe ndërhyrjen e Bashkisë së Rrogozhinës për të vënë në vend portën e rezervuarit. Tani, fermerëve u duhet të luten për pak më tepër shi, me qëllim që rezervuari të mbushet dhe t’u shërbejë gjatë ditëve të thata dhe të nxehta të verës.