Ballina Aktualitet Rrogozhinë, banorët e Okshtunit në protestë, porta e prishur e rezervuarit rrezikon...

Rrogozhinë, banorët e Okshtunit në protestë, porta e prishur e rezervuarit rrezikon bujqësinë (VIDEO)

Stina e lagësht e dimrit dhe e pranverës duhet të ishte pikërisht koha kur rezervuari i Okshtunit do të mbushej me ujë, që fermerët e fshatrave përreth të vadisnin tokat e tyre gjatë muajve të thatë të verës. Por, porta e prishur e rezervuarit bën që ai të mos mbushet dot, dhe kjo nuk është hera e parë që banorët protestojnë për t’i kërkuar Bashkisë së Rrogozhinës që të ndërhyjë për zgjidhjen e këtij problemi.

Në mbështetje të banorëve ka dalë edhe Partia Demokratike, në Rrogozhinë. Kreu i degës vendore të demokratëve, Ferdinand Saraçi, ka theksuar se porta e prishur e rezervuarit të Okshtunit është shprehje e abuzimit me pushtetin nga ana e Bashkisë së Rrogozhinës.

Në fakt, banorët e Okshtunit protestojnë prej muajsh tashmë, por, deri tani, nuk ka asnjë ndërhyrje riparuese. Ata sot kishin planifikuar ta zhvendosnin protestën e tyre edhe para vetë zyrës së kryebashkiakut të Rrogozhinës, por Policia e Shtetit u kishte mohuar lejen për një tubim të tillë.