Ballina Aktualitet Rrogozhinë, akuza zëvendëskryeministrit Braçe, protestë kundër tjetërsimit të vijës bregdetare (VIDEO)

Rrogozhinë, akuza zëvendëskryeministrit Braçe, protestë kundër tjetërsimit të vijës bregdetare (VIDEO)

Banorët e Bashkisë së Rrogozhinës kanë protestuar sot kundër vendimit të qeverisë për përditësimin e kufijve administrativo-territoralë të njësive të qeverisjes vendore. Sipas vendimit në fjalë, miratuar nga Këshilli i Ministrave vetëm pak ditë më parë, më 29 maj, një sipërfaqe prej afro 1200 hektarësh, e cila përfshin edhe rreth 4 kilometra vijë bregdetare, i është hequr Bashkisë së Rrogozhinës dhe i ka kaluar Bashkisë së Divjakës.

Në krye të protestës kanë qenë përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe të forcave të tjera opozitare. Ferdinand Saraçi, kryetari i degës së Partisë Demokratike në Rrogozhinë, ka deklaruar se vendimi është tërësisht abuziv dhe synon grabitjen e bregdetit nga oligarkët e lidhur me zëvendëskryeministrin Erion Braçe.

Vendimi i qeverisë për përditësimin e kufijve të njësive administrative ka sjellë edhe reagimin e Shoqatës së Bashkive, pasi, pa marrë mendimin e njësive vendore, janë ndryshuar edhe kufijtë e disa bashkive të tjera.