Ballina Ekonomi / Biznes Rritja ekonomike e Shqipërise, KE ndryshon parashikimin

Rritja ekonomike e Shqipërise, KE ndryshon parashikimin

Komisioni Evropian përmirësoi parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë 2018-ës, për shkak të ecurisë pozitive në gjysmën e parë të vitit.

Sipas Komisionit, në krahun e kërkesës, ekonomia ka përfituar nga zgjerimi i konsumit privat, i cili është mbështetur nga rritja e punësimit dhe rritja e pagave.

Në raportin e fundit mbi ecurinë e ekonomisë evropiane, KE vlerëson se prodhimi kombëtar në Shqipëri do të rritet këtë vit me 4,1 përqind nga 3,6 përqind që ishte parashikimi i mëparshëm.

“Përmirësimi i ekonomisë shqiptare vazhdoi në gjysmën e parë të 2018-ës për shkak të motit të favorshëm dhe sezonit të mirë turistik,”- thuhet në raportin e KE duke theksuar edhe se nëse borxhi do të ulet më ngadalë nga sa është parashikuar, kjo do të minonte tregjet financiare dhe besimin tek ekonomia shqiptare duke goditur rritjen e saj.