Ballina Aktualitet Rreziku nga shembja, ARRSH mbyll urën Çermë-Rrogozhinë

Rreziku nga shembja, ARRSH mbyll urën Çermë-Rrogozhinë

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se ka nisur punën për inspektimin dhe kontrollin e urave të vjetra, të cilat janë bërë rast denoncimi nga qytetarët për shkak të amortizimit që kanë pësuar në vite.

Ky institucion thekson se disa ura janë identifikuar si problematike, ndërsa janë marrë masa të menjëhershme duke i mbyllur ato me qëllim shmangien e ndonjë incidenti të papritur.

‘Ura e vjetër automobilistike në aksin e kryqëzimit Cerme-Rrogozhine mbi lumin Shkumbin paraqet probleme konstruktive në themelet e saj, të cilat janë ekspozuar si rezultat i gërryerjeve për shkak të ngushtimit të shtratit të lumit.

Si rezultat i këtyre problemeve ARRSH vendosi që ura do të mbyllet përkohësisht deri në marrjen e masave për rehabilitimin e themeleve, me qëllim parandalimin e situatave që mund të krijohen nga lëvizshmeria në këtë aks.

ARRSH njofton të gjithe qytetarët që është miratuar plani i lëvizjss së mjeteve në rrugë alternative. ARRSH në bashkëpunim me drejtorinë e hekurudhës do hartojnë projektin për ndërhyrjen në themelet e urës si dhe zgjerimin e shtratit duke pastruar mbetjet e ngurta urbane të hedhura ndër vite”, njofton ARRSH.