Ballina Aktualitet Rrëshen, kryeministri Rama për çështjen “Dajti”: Nuk i ndahemi kësaj çështje, vendimin...

Rrëshen, kryeministri Rama për çështjen “Dajti”: Nuk i ndahemi kësaj çështje, vendimin do e zhbëjmë

Kryeministri Edi Rama ka folur me tone të ashpra për vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda lidhur me rishikimin e procedurës së ndjekur nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda sa i përket gjygjit ndaj Dritan Dajtit, i akuzuar dhe i dënuar për vrasjen e katër policëve.

Nga Rrësheni, gjatë një takimi me qytetarët, kryeministri Rama ka theksuar se “sa i përket gjykimit të shkurtuar të atij vrasësit, nuk ka të bëjë me ligjin, por me njerëz të ligj dhe të korruptuar, të cilët nuk janë vetëm ata, por janë plot.”

“Ne nuk do i ndahemi kësaj çështjeje dhe besoj se këtë vendim do e zhbëjmë, – ka deklaruar kreu i qeverisë. – Besoj se këta gjykatës nuk do ia dalin të shpëtojnë kaq lehtë. Më ka ardhur tmerrësisht keq për atë që ka ndodhur, por nga ana tjetër këto janë gjëra që nuk më çudisin sepse ne kemi ndërmarrë një reformë që është një operacion i thellë për të pastruar kancerin nga organizmi i sistemit të drejtësisë duke shkulur nga sistemi tumore e metastaza.”

Ai ka vijuar më tej, duke thënë se “drejtësinë e drejtë nuk e kemi pasur gjithë këto vite sepse e kanë penguar gjykatës e prokurorë si këta, si ai zorzopi i Tiranës që e bën vrasësin e katër policëve mikun tim.”