Rregullat e reja të lundrimit që do zbatojnë operatorët turistik për udhëtim me anije, rafting dhe motorët e ujit

39

Rregullat e reja të lundrimit që do zbatojnë operatorët turistik për  udhëtim me anije, rafting dhe motorët e ujit |Revista MonitorHyjnë në fuqi rregullat e reja të hollësishme të lundrimit me anije, jaht dhe për sportet detare. Vendimi i qeverisë do të zbatohet nga të gjitha ata operatorë që kryejnë aktivitet me mjete lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi, si dhe për motorët e ujit, për rafting, kanoe, zhytje etj. Bizneset që do të kryejnë këto aktivitete duhet të jenë të licencuar si “operator turistik” dhe të certifikuar nga Ministria e Turizmit.

Vendimi përcakton se për ata operatorë të turizmit detar, në rastin kur jahtin ose mjetin e vogël lundrues e jep me qira apo me kontratë “bareboat” apo “çarter me kohë”, është i detyruar që të njoftojë Zyrën e Regjistrimit të Mjeteve Lundruese Shqiptare pranë kapitanerisë së portit përkatës. Njoftimi duhet të bëhet me e-mail ose duke ngarkuar në sistemin elektronik një kopje të kontratës të qirasë.

Për mjete me kapacitet mbi 12 pasagjerë, drejtimi i tyre do të lejohet të kryhet vetëm nga personeli i kualifikuar dhe i autorizuar, sipas parashikimeve ligjore. Për mjetet me kapacitet nën 12 pasagjerë, lejohet që shërbimet plotësuese, të bordit, të ambienteve të brendshme dhe të kuzhinës të kryhen nga persona, në cilësinë e vizitorit, me kusht që të kenë mbushur moshën 17 vjeç.

Për motorët e ujit, parashikohet që gjatë periudhës prill-nëntor lundrimi i tyre të jetë deri në 500 metra larg bregut, por me shpejtësi të lejuar deri në 10 nyja.

 

Rregullat për udhëtim me anije, motorët e ujit, rafting, kanoe, zhytje, surfing

-Operatori i turizmit detar që ushtron lundrimin turistik me jaht apo anije është i detyruar: a) të ushtrojë aktivitetin e tij në vende të lejuara, sipas zonave të publikuara nga ministria përgjegjëse për turizmin; b) të marrë përsipër zbatimin e Kodit të Etikës, miratuar me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin, nëpërmjet nënshkrimit të një vetëdekarimi; c) të disponojë pajisje për regjistrimin elektronik të listës së ekuipazhit dhe të pasagjerëve, që përfshin lidhjen në internet; ç)të raportojë listën e ekuipazhit e të pasagjerëve para çdo udhëtimi në sistemin elektronik, sipas parashikimeve ligjore në fuqi; d) t’i dorëzojë klientit mjetin lundrues, sipas parashikimeve të kontratës së qirasë.

-Mjeti lundrues, duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme: a) të jetë i regjistruar për qëllime tregtare (ekonomike);b) të jetë teknikisht i përshtatshëm për kryerjen e veprimtarive të lundrimit për zbavitje në Republikën e Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi; c) të ketë një numër minimal të anëtarëve të ekuipazhit me kompetencë profesionale të përshtatshme; ç) të posedojë të gjitha dokumentet në bord, në përputhje me legjislacionin; d) të ketë një policë sigurimi të përgjegjësisë ndaj palëve të treta që mbulon ngjarjet e dëmshme në ujërat e detit të brendshëm e të detit territorial të Republikës së Shqipërisë; dh)për mjetet mbi 12 pasagjerë, të ketë paraprakisht raportin e inspektimit nga Kontrolli Shtetëror i Flamurit. Përveç kushteve, këtij kreu, një anije me flamur të huaj nuk duhet të ketë tejkaluar afatin prej 18 muajsh që nga njoftimi në hyrje i Kapitanerisë së Porteve për përdorimin e regjimit të përkohshëm.

-Ushtrimi i aktivitetit të lundrimit me motor uji kryhet vetëm nga operatori i turizmit detar, i licencuar si operator turistik me licencën me kodin XIII.1.B “Operator turistik”, dhe i certifikuar nga ministri përgjegjës për turizmin dhe :a) aktiviteti duhet të ushtrohet brenda zonës së miratuar për ushtrimin e veprimtarisë së operatorit të turizmit detar nga ministri përgjegjës për turizmin ;b) mjetet në përdorim të tij duhet të jenë të siguruara pranë shoqërive të sigurimit, në përputhje me kuadrin ligjor që rregullon sigurimin e detyrueshëm të mjeteve të lundrimit.

– Operatori i turizmit detar, për të ushtruar aktivitetin e lundrimit me motor uji, paraprakisht duhet të zbatojë kriteret e mëposhtme: a) mosha minimale e lejuar e një personi për të drejtuar një motor uji është 18 vjeç; b) personi që drejton një motor uji (jet ski) duhet të jetë i pajisur me leje drejtimin përkatës të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare; c) mjetet lundruese në përdorim të tij duhet të jenë me kushte teknike dhe sigurie të përmbushura sipas legjislacionit në fuqi.

-Operatori i turizmit detar të sigurojë që klientët e tij do të zbatojnë kufizimet që lidhen me distancat e lundrimit dhe të shpejtësisë, si më poshtë vijon: a) distanca më e afërt e lundrimit me bregun e detit më të afërt është menjëherë pas kufirit të vendosur për notarët, por asnjëherë më e vogël se 300 (treqind) m; b) distanca më e largët e lundrimit me bregun e detit më të afërt është 1 (një) milje detare; c) gjatë periudhës prill–nëntor, motorët e ujit (jet ski),të cilët lundrojnë deri në 500 m nga bregu, nuk mund të lundrojnë me shpejtësi më të madhe se 10 nyja; ç) gjatë afrimit për ankorim apo parkim në tokë, shpejtësia duhet të ulet në 3 (tri) nyja.

– Operatori i turizmit detar të sigurojë që klientët e tij do të zbatojnë kufizimet lidhur me zonat e lundrimit e mënyrën e lëvizjes për të minimizuar mundësitë e aksidenteve, si më poshtë: a) ndalohet lundrimi në rrugëkalimet detare, ngushticat, kanalet e zonat e kufizuara ujore; b) ndalohet lundrimi gjatë natës e gjatë kushteve të këqija të motit; c) ndalohet nisja e lundrimit në të njëjtën kohë nga e njëjta pikë me nisjen e një tjetër motori uji; ç) ndalohet që personi që drejton motorin e ujit (jet ski)dhe pasagjerët, gjatë lundrimit, të kryejnë sjellje të gabuara, të cilat komprometojnë stabilitetin e mjetit; d) hyrja, dalja, nisja dhe ankorimi i motorit të ujit bëhen vetëm në vendbazimet e mjeteve lundruese dhe në korridoret e lëvizjes së tyre, të portit turistik, të pontilit ose stacionit sezonal të ankorimit, sipas legjislacionit në fuqi. Motori i ujit duhet të qëndrojë brenda një distance prej 1000 m nga njësia bazë (në këtë rast, anija së cilës i përkasin).

-Operatori turistik zbaton kërkesat e mëposhtme për pajisjen e personave që ushtrojnë aktivitetin e lundrimit me motor uji: a) veshjen e një jeleku shpëtimi, pasi në rrethana përplasjeje, humbja e koshiencës mund të rrezikojë mbytjen; b) veshjen e një kokoreje mbrojtëse për të shmangur çdo goditje në kokë; c) pajisjen me fishekzjarrë, për të sinjalizuar vendndodhjen e tij, nëse afër muzgut do të jetë në ujë në kushte jo të favorshme;

-Ushtrimi i aktiviteteve rafting, kayake dhe kanoe kryhet vetëm nga operatori i turizmit detar, licencuar si operator turistik me licencën me kodin XIII.1.B “Operator turistik” dhe i certifikuar nga ministri përgjegjës për turizmin. Ai duhet të ushtrojë aktivitetin e tij brenda zonës së miratuar për ushtrimin e veprimtarisë së operatorit të turizmit detar nga ministri përgjegjës për turizmin.

-Rafting-u, për shkak të varësisë nga prurjet e ujit e të nivelit të tyre realizohet në përputhje me regjimin vjetor të tyre.

-Shërbimet e rafting-ut duhet të jenë gjithmonë të planifikuara mirë, të organizuara, të shoqëruara me personel të trajnuar e me të gjitha elementet e nevojshme për të siguruar një praktikim të sigurt të lundrimit dhe të mbrojtjes së mjedisit.

-Ofruesi shërbimeve të rafting-ut duhet: a) të sigurojë kushtin e personelit të trajnuar, të aftë dhe të certifikuar si udhërrëfyes turistik, sipas legjislacionit në fuqi për të menaxhuar rrethana të rrezikshme, për të realizuar shpëtimin, evakuimin dhe ndihmën e parë, në rastet kur kjo kërkohet në praktikë, si dhe për të siguruar ofrimin e një informacioni të standardizuar sa i përket kulturës, historisë, trashëgimisë dhe pasurive natyrore; b) të ofrojë të gjitha pajisjet e udhëzimet e nevojshme për klientët, me qëllim praktikimin e sigurt të lundrimit bazuar në rregullat kombëtare dhe në praktikat ndërkombëtare.monitor