Shi meteorësh, dilni në dritare për të shprehur dëshira

21

Nëse doni t’i shprehni një dëshirë një ylli që bie, sonte është nata e duhur. Një rrebesh i vërtetë meteorësh pritet të ndriçojë qiellin deri në 120 yje që bien çdo orë.

Shiu i meteorëve apo Geminids, ndodh çdo vit kur toka kalon përmes një mase gjigande mbetjesh të një objekti të quajtur 3200 Phaeton. Sipas NASA-s, shkencëtarët nuk bien tërësisht dakord mbi natyrën e objektit dhe mendojnë se ai mund të jetë një asteroid i afërt me tokën apo një kometë e shuar.

Çdo dhjetor, hiri dhe copëzat e përhapura nga Phaeton, digjen ndërsa ndeshen me atmosferën e tokës duke shkaktuar shiun e yjeve që bien – shpjegon NASA. Këtë vit, fenomeni ka nisur më 4 dhjetor, por kulmi pritet të enjten dhe të premten. Për ta shijuar sa më mirë fenomenin, NASA rekomandon që njerëzit të gjejnë një vend të errët.