Roskovec/Burrë e grua pozitivë ndaj COVID-19, izolohet gjithë fshati Mbërs

78

Bashkia e Roskovecit merr vendim për të izoluar fshatin Mbërs, pasi një çift bashkëshortësh rezultuan pozitiv me koronavirus.

Kësisoj është vendosur karantinimi i të gjithë fshatit duke ngritur postblloqe policie, për të penguar lëvizjen e banorëve.

Në vijim të masave të ndërmarra për parandalimin e virusit COVID-19 dhe në bashkëpunim të ngushtë me Qendrës Shëndetësore të Bashkisë Roskovec, Bashkia njofton se kanë rezultuar pozitiv me koronavirus COVID-19, dy nga gjashtë rastet e Fierit, banorë të fshatit Mbërs, Njësia Administrative Kurjan.

Çifti i bashkëshortëve G. dhe S., Misiraj, i janë nënshtruar testimit për COVID-19 dhe kanë rezultuar pozitiv. Kjo familje ka pasur histori udhëtimi në Itali.

Bashkia Roskovec i bën thirrje urgjente të gjithë banorëve të fshatit Mbërs të vetëizolohen, duke qenë se familja Misiraj ka pasur kontakte të ngushta me banorët e fshatit.

“Kërkojmë bashkëpunimin e të gjithëve për të kuptuar rëndësinë e kësaj situate dhe respektimin e rregullave bazë: qëndrimin në shtëpi dhe higjienë maksimale personale për veten dhe të tjerët. Kjo është një ‘luftë’ që na përket të gjithëve, kujdesuni për veten dhe miqtë tuaj pasi kështu do të mund të mbrohemi të gjithë. Urojmë shërim sa më të shpejtë çiftit Misiraj. Zoti qoftë me ne!”, deklaroi bashkia.