Ballina BOTA Romë, një tjetër lëkundje tërmeti

Romë, një tjetër lëkundje tërmeti

Një tërmet i shkallës 3.2 ballë ka goditur gjatë natës provincën e Romës në Itali.
Lëkundja e tërmetit u regjistrua rreth orës 00.52 minuta dhe është ndjerë në një rreze prej 25 km në rajonin e Lacios.

Instituti Italian i Gjeofizikës informon se lëkundja sizmike e kishte epiqendrën në komunat Gallicano e Colonna në një thellësi prej 10 km nën tokë.

Tërmeti është ndjerë fuqishëm nga banorët e zonave të Castelli Romani, Palestrina, Ostia e Casal Palocco, por dhe në lagjet romane të Montesacros, Eur, Tor Vergata, Borghesiana, Torre Maura, Palestrina, Talenti, Vermicino e në gjithë territorin lindor të kryeqytetit italian.

Lëkundja sizmike ka zgjatur rreth 10 sekonda e të shumta kanë qenë telefonatat në shërbimin e zjarrfikësve, nga qytetarët e preokupuar. Për momentin nuk regjistrohen dëme materiale e në persona.

Lëkundjet e tërmetit nuk janë ndalur gjatë natës së shkuar as në rajonin e Sicilisë. Lëkundje sizmike janë regjistrua gjatë natës në territorin përreth vullkanit Etna.

Numri i banorëve të mbetur pa banesa ka shkuar në 784 e pak orë më parë qeveria italiane ka lëvruar një fond prej 10 milionë euro në ndihmë të popullsisë.