Ballina Aktualitet Rinas, kapet 38-vjeçari në aeroport me mijëra euro të padeklaruara

Rinas, kapet 38-vjeçari në aeroport me mijëra euro të padeklaruara

Një shtetas shqiptar është ndaluar nga Policia e Shtetit në pikën e kalimit kufitar të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas pasi kishte me vete një shumë prej 26 500 eurosh ta padeklaruara.

Sipas të dhënave zyrtare, në kuadër të masave të përbashkëta të marra mes Policisë së Shtetit dhe Doganave Shqiptare për rritjen e masave në drejtim të forcimit të kontrollit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në pikat kufitare janë shtuar masat e sigurisë, veçanërisht ndaj tentativave për pastrimin e parave të pista.

Në këtë drejtim, sot paradite, gjatë kontrollit të shtetasit me inicialet J. S., 38 vjeç, i cili do të udhëtonte për jashtë vendit, Policia e Shtetit i gjeti atij 26 500 euro të padeklaruara. Materialet e kësaj çështje i kanë kaluar tani për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të mosdeklarimit në kufi të të hollave dhe të sendeve me vlerë.