RENEA “zbarkon” në Laç, sekuestron pistoletë dhe targa të vjedhura

68

Forcat Speciale Renea, Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë dhe Komisariati i Policisë Kurbin, janë duke zhvilluar kontrolle të befasishme në disa ambiente për kapjen e personave në kërkim, atyre që mbajnë armë zjarri dhe lëndë narkotike

Sipas policisë, gjatë kontrolleve është sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe targa të vjedhura që u përkisnin automjeteve të tjera, që dyshohet se do të përdoreshin për të kryer një ngjarje kriminale.

Ndërkohë është vënë në pranga një 30-vjeçar me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve ndaj personit.

Gjithashtu, janë shoqëruar për verifikim edhe 5 persona me precedent të mëparshëm penal.

“Si rezultat i kontrolleve , në Fushë-Milot, në ambientet e jashtme të një kompleksi, u gjet dhe u bllokua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë “GLOCK”, me një krehër me 14 fishekë, që i përkiste shtetasit C. K., 30 vjeç, të cilit gjatë kontrollit fizik në xhepin e xhupit iu gjet një krehër i markës “GLOCK”, me 16 fishekë të kalibrit 9 mm pa leje.

Gjithashtu ky shtetas dyshohet se është autori i vjedhjes se targave të shpallura në kërkim nga DVP Shkodër të vjedhura më datë 19.09.2019, të cilat u gjetën brenda ambienteve rrethuese të objektit.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 30-vjeçarit C. K., për veprat penale “Armëmbajtja pa leje ” dhe “Vjedhja” dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme“, – thuhet në njoftimin e policisë.

Kontrollet vijuan edhe në disa ambiente të tjera në qarkun e Lezhës, ku janë shoqëruar për verifikim disa persona me precedent të mëparshëm penal.

Policia kishte dyshime se në këtë zonë mund të fshiheni personat e përfshirë në vrasjen e Shkëlzen Kastratit në Fier.

Për këtë ngjarje, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim 4 autorët e dyshuar, Albert Zaja, Elmir Tufa, Elson Xheçuka dhe Roland Cara.