Rekorde të theksuara kriminale, OFL u kërkon 4 personave të vetëdeklarojnë pasurinë/EMRAT

41

Katër persona të dënuar për vrasje, drogë dhe pjesë e grupit kriminal, për shkak të të shkuarës së tyre, dyshohet se e kanë vënë pasurinë në mënyrë të paligjshme.

Për këtë arsye Operacioni Forca e Ligjit iu ka dërguar formularin e vetëdeklarimit të pasurisë të dyshuarve, të cilat janë nga Kurbini, Mati dhe Lezha.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë:

-Bajram Hidri, banues në Kurbin, i dënuar për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”;

-Hil Ndreca, banues në Kurbin, i dënuar për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”;

-Albert Malçi, banues në Mat, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim;

-Altin Nogaj, banues në Lezhë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.