Rekord infektimesh, 117 raste të reja me COVID-19 në vendin tonë!

62

117 raste të reja me koronavirus janë regjistruar në vendin tonë. Lajmin e bëri me dije ministria e Shëndetësisë, në raportin e 24 orëve të fundit.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 585 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19, nga të cilat janë konfirmuar 117 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 41 raste në Tiranë, nga 9 raste në Shkodër, Kavajë, 7 në Korçë, nga 6 raste Pukë, Lezhë, nga 5 raste Durrës, Kurbin, nga 4 raste në Krujë, Mirditë, Tropojë, 3 në Fier, nga 2 raste në Kolonjë, Lushnje, Vlorë, Mat, dhe nga 1 rast në Memaliaj, Ura Vajgurore, Pogradec, Kamëz, Berat, Elbasan.

Po ashtu u bë me dije se dy pacientë kanë gjetur vdekjen.

Një 70-vjeçare nga Tirana dhe një pacient 66-vjeçar nga Shkodra, me sëmundje bashkëshoqëruse. Situata në spitalin infektiv vijon të paraqitet e rënduar.

Në 24 orët e fundit ka shtim të pacienteve të shtruar, ku aktualisht janë 85 pacientë në spital, 10 pacientë janë në terapi intensive dhe 4 prej tyre janë të intubuar, në gjendje të rëndë.

“Java që lamë pas ka treguar një trend të rritur të rasteve të konfirmuara pozitive, rritje të shtrimeve në spital, pacientëve që kanë pasur nevojë për trajtim në terapi intensive por edhe pacientë të intubuar. Fatkeqësisht kemi pasur edhe rritje të qytetarëve që kanë humbur jetën. Aktualisht kemi transmetim komunitar të përhapjes së virusit në disa bashki të vendit .Është një situatë serioze epidemiologjike e Covid- 19 në të gjitha elementët e vlerësimit të saj. Kjo situatë kërkon reflektim nga ana e qytetarëve për të mos e ulur vigjilencën, duke respektuar masat e vendosura, dhe bizneset duke zbatuar protokollet e sigurisë. Në 24 orët e fundit, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 2 qytetarë”, deklaroi shefja e epidemiologjisë në Institutin e S shëndetit Publik, Eugena Tomini.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 68 qytetarë, duke e çuar në 2014 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Në vendin tonë aktualisht janë 1462 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve: Tiranë 635; Durrës 218; Shkodër 186; Vlorë 108; Lezhë 75; Kukës 47; Berat 41; Korçë 40; Elbasan 35; Fier 33; Gjirokastër 24 dhe Dibër 20.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet qytetarëve, të tregojnë kujdes në ambientet e punës, aty ku ofrohen shërbime dhe në çdo ambient publik, për të respektuar masat e higjienës, distancës fizike, shmangni kontaktet dhe vendosni maskat kur nuk është e mundur të ruhet distanca.

“Respektimi i distancës, vendosja e maskës, higjiena vetjake dhe kolektive janë mënyrat e vetme për të frenuar përhapjen e Covid-19. Nëse dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127. Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të qytetarëve linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid-19”, tha Tomini.