Ballina LAJME Rambuje, 20 vjet nga fillimi i rrugëtimit të Kosovës drejt pavarësisë

Rambuje, 20 vjet nga fillimi i rrugëtimit të Kosovës drejt pavarësisë

20 vite më parë, në një kështjellë në Rambuje, një qytet i vogël rreth 50 kilometra në jugperëndim të Parisit, në Francë, nisi fundi i Jugosllavisë dhe udhëtimi i Kosovës drejt pavarësisë. Konferenca e Rambujesë për Kosovën kishte nisur punë më 6 shkurt 1999 dhe, më 19 shkurt të atij viti, pala jugosllave dhe Rusia refuzuan marrëveshjen e prezantuar, duke i hapur kështu rrugë përdorimit të forcës nga ana e NATO.

Konferenca e Rambujesë për Kosovën ishte thirrur nga Grupi i Kontaktit, i përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia. Në tavolinë ishin padyshim përfaqësuesit e grupeve të ndryshme kosovare, si Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Hashim Thaçi dhe Veton Surroi, dhe përfaqësuesit e palës jugosllave.

Më 18 shkurt, Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate prezantuan tekstin e një marrëveshje, që më vonë do të njihej si Marrëveshja e Rambujesë. Përfaqësuesit shqiptarë e nënshkruan atë, ndërkohë që pala jugosllave dhe Rusia e refuzuan.

Në bazë të marrëveshjes, krahina e Kosovës do të administrohej përkohësisht nga komuniteti ndërkombëtar, ndërkohë që trupat e NATO do të ishin garantuesit e zbatimit të marrëveshjes. Por, në bazë të tekstit të Marrëveshjes së Rambujesë, trupat e NATO duhet të vendoseshin në të gjithë Jugosllavinë, që ishte edhe pika kryesore pse Beogradi e refuzoi atë.

Pak javë më vonë, ish-sekretari amerikan i shtetit Henry Kissinger do ta quante Marrëveshjen e Rambujesë “një provokim, një justifikim për të nisur bombardimet” ndaj Serbisë.

Në fakt, ashtu ndodhi. Pak muaj më vonë, NATO hyri forcërisht në Kosovë, ndonëse Serbia arriti të mos lejojë hyrjen e trupave të huaja në territorin e vet, dhe, vite më pas, Kosova shpalli edhe pavarësinë.