Ballina Ekonomi / Biznes Tiranë, kryeministri Rama vlerëson BSH: Institucioni i vetëm i qendrueshëm

Tiranë, kryeministri Rama vlerëson BSH: Institucioni i vetëm i qendrueshëm

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm sot në konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë me temë “Politika Monetare, Integrimi Ekonomik dhe Normaliteti i Ri”, ka vlerësuar punën e institucionit që rregullon politikat monetare në vend. Gjatë fjalimit të mbajtur, kryeministri Rama e ka cilësuar BSH si të vetmin institucion të qendrueshëm, që nuk është akuzuar nga opozita dhe që përbën një mbështetje shumë solide e garanci të fortë në raport me qeverinë.

“Sot, në një vend si Shqipëria ku është e ngritur pyetja e integrimit evropian me tërësinë e kushteve që duhen përmbushur, banka qendrore është përballë nevojës për t’i dhënë një përgjigje kësaj pyetjeje. Është pyetje e thjeshtë, por komplekse. Përvojat e vendeve të tjera tregojnë përgjigjen e pyetjes dhe kanë kaluar në këtë proces që ne e kemi para. Banka e Shqipërisë është institucioni i vetëm që rrezaton qendrueshmëri kontante në të gjithë rezistencën e vet. Ka bërë një punë të lavdërueshme. Është i vetmi institucion që nuk është anatemuar për llogari të njërës palë. Besoj se kjo mjafton si e vetme, për t’a quajtur BSH si një qendër të pakontestueshme graviteti. Është meritë e ekipit, e bordit e guvernatorëve dhe është një trashëgimi e çmuar,” – ka theksuar kreu i qeverisë.